Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha të enjten se qeveria e tij nuk ka hequr dorë nga vendosja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe për këtë janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme.
Ai i bëri këto komente në parlament pas kritikave të partive opozitare për heqje dorë nga zbatimi i këtyre masave ndaj Serbisë që ishte edhe pjesë e zotimeve të të kryeministrit Kurti para zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Serbia bën përgjithësisht barriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës por ka gjithashtu edhe barriera sistemike. Për të zbatuar reciprocitetin për të cilin ne jemi zotuar, kemi nevojë që t’iu bëjmë ballë suksesshëm edhe barrierave sporadike edhe atyre sistemike kjo nënkupton që neve na duhet kohë për t’u përgatitur që ta zbatojmë të plotë reciprocitetin. Është e domosdoshme që ne të përgatitemi që të mos dështojmë në zbatim”, tha ai.
Partitë opozitare e cilësuan çështjen e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë si një mashtrim elektoral.
“Me reciprocitet keni dal keni kërkuar vota keni thënë që do ta bëni që në fillim të qeverisjes, e dini që reciprociteti kurrë nuk ka qenë përgjigja ndaj Serbisë për shkak se nuk mund me qenë marrëdhënie reciproke kur Serbia eksporton 600 milionë kurse ne 60 milionë, kjo ka qenë një mashtrim dhe një manipulim të cilin je ka dëshiron tash me kamuflu me një koncept që dua ta them në fund”, tha shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
“Kur të gjithë kemi pritë që ju ta vendosni si pikë e rendit të ditës çështjen e reciprocitetit me Republikën e Serbisë sepse ju keni premtuar të gjithë qytetarëve të Kosovës që pas formimit të qeverisë tuaj do të jetë çështje e ditës kur ju do ta votoni reciprocitetit, ju e bëtë një gjë që nuk e ka pritë askush pra e vendosët një nismë për nënshkrimin e një marrëveshje mes Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për lirinë e levizjes së qytetarëve, pra kjo pikë është pikë e parimeve të mini-shengenit“, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje ndaj ndokujt por e kemi si parim që derivon nga koncepti i barazisë pra ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohë kur do të jemi përgatitur për zbatim të plotë të tij, kjo është çështje e qeverisë tonë dhe kjo do të bëhet. Dikujt mund të mos i pëlqej por ne këtë do ta bëjmë”, tha kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri Albin Kurti në mandatin e parë vendosi masat e reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë si zëvendësim i tarifave prej 100 për qind që ishin vendosur në vjeshtën e vitit 2018. Veprimi i tij bllokoi përpjekjet për ripërteritje të bisedimeve me Serbinë duke ngjallur reagimin e bashkësisë ndërkombëtare por edhe ish partnerit të zotit Kurti në koalicionin qeverisës Lidhjes Demokratike të Kosovës, që u bë edhe shkak për rrëzimin e qeverisë së parë të zotit Kurti në muajin mars të vitit të kaluar. /Voa/