Gjykata e Sarandës dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Remilda Hajdinaj, e cila u ndalua dy ditë më parë, pasi akuzohet për “dhunë ndaj së ëmës”.
Lënia në burg ka irrituar mbrojtjen, pasi avokatja e 25-vjeçares e ka konsideruar një masë të pavend për faktin se e akuzuara ka paraqitur një raport mjeko-ligjor, që vërteton të kundërtën, pra që 25-vjeçarja është dhunuar nga e ëma.
Avokatja është shprehur se është e paarsyeshme se si prokuroria dhe gjykata nuk pranuan të marrin si provë këtë raport, ndërkohë që edhe me sy të lirë shihen shenjat e dhunës në qafën e vajzës.
Mësohet se e ëma e Remilda Hajdinit vuan nga problemet mendore dhe duke qenë e tillë, pala mbrojtëse mendon se ajo ka ushtruar dhunë ndaj së bijës, por kjo e fundit, nuk ka preferuar ta denoncojë nënën e saj.
Po ashtu, në raportin mjeko-ligjor që vërteton dhunën e ushtruar ndaj vajzës, fjala “dhunë” mungon, dhe është zëvendësuar me fjalën “vetëmbrojtje”, e cila ka patur si pasojë disa dëmtime që nëna i ka shkaktuar së bijës.
Gjyshja e 25-vjeçares nga nëna është shprehur se mbesa është e pafajshme, pasi nëna e saj është me probleme mendore.
Ajo e ka rritur vetë Ildën, siç e thërret shkurt, pasi e ëma e saj e ka lënë në moshë të vogël, pasi kishte emigruar në Francë, ku dhe jetoi për afro 20 vite.
Ajo ishte kthyer para dy vitesh, ndërsa kishte shfaqur edhe probleme mendore.
Sipas gjyshes, Ilda ka dashur të vetëmbrohet në një çast, e jo ta dhunojë të ëmën, kur ndërkohë ishte ajo që po dhunohej nga kjo e fundit.
Ajo është shumë e trishtuar për fatin e mbesës, duke e konsideruar si të padrejtë vendimin e gjykatës, ndërsa lutet që drejtësia të japë drejtësi për mbesën e saj.