Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike dhe kandidat për kryetar të kësaj partie, Agron Shehaj, ka mbajtur një konferencë për shtyp, për të folur për kandidimin e tij.
Shehaj tha se Lulzim Basha nuk mund ta çojë PD-në në fitore dhe se partia ka nevojë për një lider që nuk është i ngjashëm me Edi Ramën dhe që nuk është i korruptuar.
Shehaj tha se duhet vendosur në statutin e PD-së, që kur një lider humbet zgjedhjet parlamentare, duhet të largohet menjëherë nga drejtimi i partisë.
“Një nga problemet kryesore të Partisë Demokratike është mungesa e meritokracisë. Duhet të vlerësojmë ata që punojnë.
Nuk ka asnjë arsye personale kundër Bashës. Ka një arsye, jam bindur pas humbjes në 25 prill, se Lulzim Basha, nuk e çon dot PD-në në fitore. E kuptoj që shumë prej jush mund të krijojnë arsye të ndryshme, por është e thjeshtë. Nëse duam që PD të fitojë zgjedhjet dhe pastaj të ndryshojë Shqipërinë, ne duhet të ndryshojmë lidershipin e PD-së.
Kryetari duhet të ketë të drejtë të kandidojë një herë, nëse i humbet zgjedhjet, duhet të largohet.
Për të fituar zgjedhjet duhet reformuar PD. Duhet hapur PD ndaj të gjithëve, të vjetërve dhe të rinjve. Vendimet duhen marrë nga anëtarët. Partia duhet të jetë transparente. Anëtarët duhet të vendosin për strukturën. Do të propozoj votimin e listës për kandidatë të PD, nga anëtarët me parimin një anëtar një votë. Votim të vërtetë dhe jo duke i pyetur kë nuk doni, por kë doni.”
I pyetur nëse gara zhvillohet në kushte të pabarabarta, duke qenë se Basha nuk dha dorëheqjen as për të lejuar zhvillimin e procesit, Shehaj tha: “S’ka dyshim që nuk jemi në kushte të barabarta”.
Gazetarët e pyetën Shehajn edhe për shpalljen non-grata të Sali Berishës. Ai nuk pati asnjë koment, por tha se Berisha ka patur kontribut në orientimin e Shqipërisë drejt perëndimit.