Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi është takuar ditën e sotme me kandidatët e Partisë Demokratike për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit. Ademi thotë se është e bindur se kjo përzgjedhje është një kombinim vlerash njerëzore dhe profesionale që do të kontribuojë për Shkodrën.
Sipas saj, programi i Partisë Demokratike është pikënisja e asaj që duan shqiptarët prej vitesh, ndërsa shton se 25 Prilli është caku që ndan dy modele të ndryshme.
“Politika është alternativë dhe mundësi zgjedhje për qytetarët! Duke njohur nga afër dhe duke bashkëpunuar për gjatë shumë viteve me Helidonin, Emilian, Gretën, Bardhin, Izmirën, Arbenin, Helgën dhe të gjithë ekipin e PD- së për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, jam e bindur se është një kombinim vlerash njerëzore dhe profesionale që do të kontribuojnë për Shkodrën tonë. Programi i Partisë Demokratike dhe kryetarit Basha, është pikënisja e asaj që shqiptarët presin prej 8 vitesh: Largimin e një kaste që ka uzurpuar çdo gjë dhe që e keqpërdor, për t’i hapur rrugën qeverisjes së vertetë të Shqipërisë në interesin e parë dhe të vetëm të qytetarëve të saj!
25 Prilli 2021, është caku që ndan dy modele, dy qasje krejtësisht të ndryshme me njëra tjetrën në ndërtimin e shtetit, për të sotmen dhe të ardhmen! Zgjedhja është në dorën tonë, në dorën e secilit nga ne dhe si gjithmonë, edhe këtë herë, Shkodra do të lërë gjurmën e saj: Do ti prijë nisjes së një qeverisje të re në sherbim të shkodranëve e shqiptarëve! Ekipi i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ekipi ynë i Shkodrës, janë guri i themelit i Fitores dhe ndryshimit të shumë pritur nga të gjithë! Pa dyshim, alternativa më e mirë për 25 Prillin!”, shkruan Ademi.