Astrologjia është një art i lashtë dhe i diskutueshëm i parashikimit. Ende sot ka njerëz që i besojnë dhe që janë shumë kundër. Së fundmi kantautori Gjergj Leka ka treguar se çfarë e bëri të besonte në horoskop.
I ftuar në emisionin “Rudina” ai ka treguar se vetë është shenja e Peshores dhe thotë se në fillim nuk mendonte se horoskopi kishte diçka të vërtetë deri në momentin që shkoi në Rusi.
“Unë e besoj shumë sepse pikërisht në vitet që kam bërë në Rusi, me atë vajzën që rrija, ajo kishte gjyshen e vet 102-vjeçare që merrej vetëm me horoskopin dhe jo me horoskopin kot se ndonjëherë e dimë si është, por ajo vendet e yjeve ilidhte me karakteret e njeriut dhe me tiparet e njerëzve dhe unë është shkolla më e madhe e jetës që kam mësuar ato 2 vjet atje për të njohur njeriun me shikimin e parë kur e takoj dhe asnjëherë s’kam gabuar. Kisha gabuar më parë shumë në njohjen e njerëzve”, ka thënë ai.
Rudina Magjistari: Pra tani ti e njeh personin sapo e sheh në pamje apo e pyet çfarë shenje je?
Gjergj Leka: Sa flas, sytë afër, koka e sheshtë, flokët e kuqe, buzët e holla…
Rudina Magjistari: Por kjo nuk ka lidhje me shenjën e horoskopit.
Gjergj Leka: Shiko, i lidhnin të gjitha me yjet, ishte një gjë kryevepër.
Gjergji shton se horoskopi e ka ndihmuar edhe në marrëdhëniet me seksin e kundërt.
“Për mua ka pasur të bëjë shumë. Kur mora vesh që Erisela ishte Dash, kam fluturuar”, shprehet këngëtari.