Elvis Naçi është një imam 44 vjeçar, që ka pushtuar rrjetet sociale dhe mbarë botën shqiptare. Popullariteti i Naçit shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë. Ai njihet në të gjithë diasporën dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.
Elvis Naçi shërben si imam dhe ligjërues në Xhaminë e Tabakëve në Tiranë dhe drejton një emision televiziv me emrin “Shqiptarët për shqiptarët”, të fokusuar tek mbledhja e fondeve për bamirësi.
Ligjërimet fetare, me një stil modern, shumë të ndryshëm nga imamët klasikë me mjekrra të gjata, i kanë siguruar Naçit qasje edhe tek të rinjtë, duke e shndërruar atë në një “superstar”.
Por çfarë është fondacioni bamirës i themeluar prej tij?
Në 15 dhjetor 2016, Elvic Naçi i kërkon gjykatës së Tiranës regjistrimin e Fondacionit “Firdeus”, me qëllim kryerjen e veprimtarive të ndryshme me karakter humanitar.
Struktura e organeve drejtuese të Fondacionit, përbëhet nga Bordi Drejtues dhe Drejtori Ekzekutiv.
Anëtarët e bordit drejtues, janë themeluesi Elvis Naçi, Muharrem Naçi, babai i Elvis Naçit, tashmë i ndjerë dhe i zëvendësuar me vendim gjykate nga Marvin Naçi, djali i vëllait të Elvis Naçit dhe Florian Brinja, djali i tezes së Elvis Naçit.
Më pas bordit i shtohen si anëtarë të rinj, Fatime Naçi, bashkëshortja e Elvis Naçit dhe Andi Qinami, që është baxhanaku i Elvis Naçit. Si drejtor ekzekutiv i fondacionit, shërben shtetasi, Ilir Naçi, vëllai i Elvis Naçit.
Bordi drejtues është organi më i lartë vendimarrës i fondacionit “Firdeus”. Gjithçka ndodh në këtë fondacion, menaxhohet dhe vendoset nga bordi drejtues.
E gjithë piramida e drejtimit të këtij fondacioni, është në fakt e përqëndruar në duart e familjes Naçi, vëllezërve, kushërinjve dhe njerzve me lidhje të ngushtë familjare me ta, pra rrjedhimisht çdo vendim i këtij fondacioni, është vullneti dhe dëshira e njerëzve të lidhur familjarisht me Elvis Naçin.
Ndryshe nga bordet e fondacioneve, që përgjithësisht përbëhen nga intelektualë apo njerëz të shquar me kontribute në shoqëri, në rastin e fondacionit të themeluar nga Elvis Naçi, bëhet fjalët për njerëzit e tij të afërt, që i sigurojnë, kontroll absolut mbi vendimet e fondacionit.
Por, pavarësisht se drejtimi i fondacionit ka karakter klanor dhe duket si një strukturë e vogël familjare, shtrirja e fondacionit dhe punët e kryera prej tij, janë të një përmase gjigande. Një makineri e madhe, e cila ka qarkulluar miliona euro, të dhuruar nga shqiptarët, për bamirësi.
Vetëm në rastin e tërmetit që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019, Elvis Naçi ka pranuar që ndihmat e mbledhura nëpërmjet fondacionit Firdeus, kapin vlerën e mbi 9 milionë eurove.
Blerja dhe shitja e Spitalit Kontinental
E ndërsa fondet për këtë fondacion me drejtim klanor, sa vinte e rriteshin dhe Elvis Naçi shkëlqente si një hoxhë nëpër ekranet televizive, një lëvizje e bujshme e kthen fokusin e medive dhe qytetarëve, drejt aktivitetit të fondacionit.
Bëhet fjalë për blerjen e një spitali privat, të cilin fondacioni Firdeus e siguroi për shifrën 350 mijë euro. Spitali u shit nga shoqëria “MGB” shpk, me administrator, zotin Hergys Rreli. Efektivisht, spitali kalonte në pronësinë e fondacionit “Firdeus”, të drejtuar nga familja Naçi, paguar me paratë e dhuruara nga shqiptarët.
Edhe përpara shitjes, Spitali Continental, ishte një sipërmarrje e cila në aktivitetin e saj, kishte regjistruar humbje të vazhdueshme, prej 111 milionë lekësh, duke humbur të gjithë kapitalin e vet fillestar.
Elvis Naçi e justifikoi blerjen e spitalit privat, me nevojën për të ndihmuar të varfërit.
Menaxhimi i spitalit nga fondacioni i familjes së Elvis Naçit, nuk e përmirësoi aspak gjendjen e financave të tij. Sipas përllogaritjeve, të BIRN, në vitin 2020, humbjet e kompanisë ishin 23 milionë lek ndërsa kapitali themeltar i kompanisë ishte minus 60 milionë lek. Pra, fondacioni kishte tashmë në pronësi një spital privat, që vetëm humbiste para.
Por, edhe pse me humbje të mëdha, një transaksion i dyshimtë, e kthen sërish vëmendjen drejt Elvis Naçit dhe fondacionit “Firdeus”. Në tetor 2021, spitalin e blerë me shumën 350 mijë euro nga Naçi, me humbje të vazhdueshme, ai ja shet për thuajse dyfishin e vlerës, 850 milionë lek të vjetra, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, të drejtuar nga Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ose i njohur për shqiptarët si Baba Mondi.
Ky transaksion me një shumë të konsiderueshme, nuk ka asnjë logjikë ekonomike. Askush nuk mund ta kuptojë, se si një spital thuajse dyfishohet në vlerë brenda një kohe shumë të shkurtër, ndërkohë që bilancet financiare të tij janë me humbje të vazhdueshme.
Megjithatë, Elvis Naçi e kishte bërë gati shpjegimin edhe për këtë transaksion. Ai shkruan në rrjetet sociale, se me shitjen e spitalit Kontinental drejt Baba Mondit, bëhet dy herë bamirësi dhe premton një lagje të re për të varfërit e Kosovës.
Sot Elvis Naçi, e ka shtrirë aktivitetin e tij në disa fusha. Një Hoxhë karizmatik i rrjeteve sociale, ligjërues i fesë islame në Xhaminë e Tabakëve, shitës syzesh të markave luksoze në dyqanin “Optika Elitare Milano”, dhe drejtuesi i një fondacioni që posedon një fuqi të jashtëzakonshme financiare.
Paratë e dhuruara nga shumë qytetarë në Shqipëri dhe në mbarë diasporën, përdoren dhe investohen sipas vendimeve të tij dhe rrethit të ngushtë familjarë, ku llogaridhënia dhe transparenca janë koncepte që vetë karakteri familjar i fondacionit, i bën thuajse të pamundura.
Aktiviteti i Naçit, por edhe transaksioni i fundit mes fondacionit të tij dhe Kryegjashatës Botërore Bektashiane, ekspozojnë një fuqi të jashtëzakonshme financiare, të komuniteteve fetare dhe fondacioneve bamirëse në Shqipëri.
Pikërisht kjo ngre pytjen; A duhet shteti të ketë mekanizma, që sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie, të këtyre fondacioneve bamirëse dhe komuniteteve fetare me një fuqi dhe inpakt kaq të madh?