Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë gjatë ditës së sotme në Shqipëri.
Ardhja e tyre u shtyu në kohë për shkak të kaosit që sundoi aeroportin e Kabulit e ku u anuluan të gjitha fluturimet.
Fillimisht ishte planifikuar që mbërritja e qytetarëve afganë të ishte dje në mbrëmje, por ky variant u anulua, duke modifikuar oraret e uljes së avionëve në Rinas. Ministria e Jashtme dhe autoritetet shqiptare janë në gatishmëri pritjeje prej 48 orësh në pritje të udhëzimeve dhe koordinimeve me palën amerikane.
Bëhet fjalë për afro 300 deri 350 persona, kryesisht gra, aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan. Avioni që do t’i sjellë, është parashikuar të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku tanimë janë ngritur dhe disa tenda.
Në to, do të jetë ndalesa e parë, ku qytetarët afganë, do t’i nënshtrohen dhe verifikimeve mjekësore, për të parë nëse ndokush ka nevojë për trajtim të specializuar.
Grupi i afganëve me gjasë do të strehohet për një periudhë të shkurtër në disa struktura në Durrës dhe në Tiranë, ndërsa më pas autoritetet parashikojnë që të gjejnë një vendndodhje të re.
Për momentin, janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të rikonstruktuara të Qytetit Studenti në Tiranë, me një kapacitet total për dy mijë persona.
Mund të përdoreshin fare mirë hotelet e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës, pa qenë nevoja e boshatisjes së konvikteve ku banojnë studentë të cilët janë të punësuar në Tiranë e njëkohësisht presin të fillojë viti i ri akademik.