Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Fushë Krujë, Alfred Voga është kërcënuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Një pako me lëndë plasëse tritol, është hedhur në shtëpinë e tij, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Referuar njoftimit të Policisë, bëhet me dije se shtetasi Alfred Voga ka parë pakon e dyshimtë në oborrin e shtëpisë, në orën 23.25 të mbrëmjes së djeshme.
Ai ka njoftuar menjëherë uniformat blu dhe grupi i hetimit ka shkuar në vendngjarje, për të bërë të mundur sqarimin e plotë të rrethanave të saj. Aktualisht Alfred Voga është drejtor i Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Më parë, ai ka mbajtur dhe postin e drejtorit të ALUIZNI-t.
Burimet bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që këtij shtetasi i vendosin tritol dhe e kërcënojnë.
Më parë, atij i është hedhur në shtëpi një minë antitank por ajo nuk ka shpërthyer. Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme atij i është hedhur një pako me tritol në oborr, e cila përsëri nuk ka shpërthyer.
Nuk dihet nëse autori/ët e këtij sulmi kanë dashur vetëm ta paralajmërojnë Vogën, apo në të dy rastet për shkaqe teknike lënda plasëse nuk ka shpërthyer. Vetë drejtori ka mohuar të ketë konflikte me ndonjë person dhe është shprehur se pret që Policia të zbardhë ngjarjen.