Zbardhet analiza e zgjedhjeve të 25 prillit në PD: Aleatët nuk na ndihmuan, LSI egoiste “dogji” mijëra vota dhe humbëm shumë mandate

Sot në 5 korrik janë dorëzuar disa nga raportet e analizës së zgjedhjeve të 25 prillit nga drejtuesit politikë të PD-së. Ata në raportin e tyre kanë arsyetuar disa faktorë që çuan në humbjen e radhës së PD-së, në zgjedhjet e përgjithshme kundër Edi Ramës dhe PS-së.

Sipas tyre administrata publike ka qenë e gjitha në angazhim të pushtetit, patronazhistët po ashtu. Sipas gazetarit Juxhin Mustafaraj, drejtuesit politikë të PD-së kanë arsyetuar se u dhanë shumë certifikata legalizimesh në këmbim të votave.

Ata i kanë deklaruar Bashës se në disa qarqe të vendit u përdorën personat me rekorde kriminale të cilët kërcënuan familjet në nevojë apo disa të tjerë për vende pune.

“Edhe fondet e tërmetit janë përdorur dy muajt e fundit para 25 prillit”, thuhet në një nga raportet e paraqitura në selinë blu.

Disa drejtues politikë të PD-së janë shprehur të pakënaqur dhe me kryetarët e partive aleate, duke thënë se “ata nuk dolën në terren për të kërkuar masivisht vota për listën e Partisë Demokratike, teksa një pjesë e tyre nuk e rakorduan aktivitetin politik me drejtuesit e PD”.

Kritika të forta ka pasur edhe për LSI-në. Disa drejtues kanë theksuar se refuzimi i LSI për të dalë me një listë të përbashkët me PD “dogji” mijëra vota dhe pamundësoi marrjen e shumë mandateve.

Analiza për të 12 qarqet do të merret në shqyrtim në mbledhjen e kryesisë së PD që pritet të zhvillohet këtë të shtunë.

Author: admin