Juventusi i Alegrit e nis nga Morata, bardhezinjtë paguajnë Atletikon

Statistika e 20 golave dhe 12 asisteve në 44 ndeshje të luajtura në këtë sezon, i ka mjaftuar Juventusit për të konfirmuar përsëri Alvaro Moratën. Por mbi të gjitha, çdo dyshim që ishte në lidhje me sulmuesin spanjoll është zhdukur pasi në klub u kthye Masimiliano Alegri.

Ky i fundit pëlqen shumë spanjollin dhe e sheh si element thelbësor në lojën e skuadrës së tij. Ndaj Juventusi i komunikoi Atletikos dëshirën për të rinovuar sipas klauzolës për një tjetër vit kontratën me lojtarin, ndërsa kërkoi ulje të pagesës së caktuar.

Por spanjollët nuk lëvizën nga pozitat e tyre e kështu, Juventusi do të duhet të paguajë një tjetër çek prej 10 milionë eurosh për të mbajtur lojtarin, ndërsa blerja e kartonit apo jo do të vendoset në verën e ardhshme.

Me Moratën, Kiezën e Kulusevskin, Juventusi ka një bazë të mirë për të filluar punën, ndërsa Alegri pret të mësojë edhe si do të jetë e ardhmja e Dibala dhe Ronaldos, për të bërë planet e tij për edicionin e ri ku objektivi do të jetë kthimi menjëherë te titulli kampion e të provohet përsëri një rrugëtim historik në Europë.

Author: admin