Zgjedhjet/ Përfundon rinumërimi i 108 kutive të Qarkut të Durrësit, pritet rezultati

Ka përfunduar numërimi i 108 kutive të Qarkut të Durrësit, të kontestuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Relatori i KAS për këtë seancë, Koli Bele, ishte ai që miratoi përfundimin e numërimit, ndërsa tha, se rezultati do të jepet në orën 19:30.

“Mbyllet numërimi në 108 kutitë e kërkuara, në këtë fazë rezultatet për secilën qendër votimi janë administruar. Do të duhet një afat më i shkurtër për të bërë një verifikim”, tha Bele.

Kujtojmë që PD dhe LSI nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në KAS kërkuan ripërsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Durrësit, pasi sipas tyre ka pasur disa parregullsi.

Por kjo kërkesë u hodh poshtë nga KAS, e cila la në fuqi, vendimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili i cilësoi zgjedhjet në këtë qark, por jo vetëm, si të rregullta e të vlefshme.

Author: admin