“Ne do ta rimodelojmë Turqinë”/ Rivali i Erdogan krijon një parti të re politike

Muharrem Ince, i cili në 2018 është konsideruar si rivali i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, ka lajmëruar se ka formuar një parti të re politike.

“Ne do ta rimodelojmë Turqinë”, bëri të ditur Ince, gjatë formimit të partisë së tij “Memleket” (Partia e Atdheut) në Ankara.

Si kandidat i partisë opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP) ai mori 30,6 përqind të votave në zgjedhjet e vitit 2018.

“Qeveria nuk është në gjendje, të japë një zgjidhje të vetme, për një nga problemet e popullit”, tha Ince.

Ai i premtoi mbështetësve të tij, se në rast se do të fitonte zgjedhjet, do të rikthente një politikë të jashtme më realiste.

Politikani, që më parë ishte pjesë e partisë Republikane Popullore njihet si nacionalist por me orientim laik.

Para largimit të tij nga partia e themeluar nga Mustafa Qemal Ataturku, Ince kishte kritikuar, se partia nuk drejtohej më në mënyrë demokratike.

Tre deputetë të tjerë, që u larguan gjithashtu nga CHP, ju bashkuan partisë së re Memleket.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Turqi do të mbahen pas dy vitesh.

Author: admin