Rama paralajmëron ndryshimin e Kodit Zgjedhor: “Fajtori” që nuk fituam më shumë mandate

Kryeministri Edi Rama paralajmëron ndryshimin e Kodit Zgjedhor, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Duke folur sot para deputetëve të PS, për rezultatin me të cilin doli partia e tij nga këto zgjedhje, Rama la të kuptohej se “fajtori” për mos arritjen e objektivit për maksimalizimin e mandateve, ishte pikërisht sistemi zgjedhor që sipas tij prodhoi mijëra vota të pavlefshme.

Ja çfarë tha Rama:

“Dua të jem i qartë dhe për faktin se për mua siç e kam thënë dhe para ndeshjes nuk kanë rëndësi votat individuale që keni marrë por objektivi i madh i triumfit të numrit 12 të PS dhe realizimi i objektivave të çdo skuadre në nivel qarku, gara e brendshme në listat e hapura ka sjellë dhe të mirat e saj por dhe disa dëme anësore që duhen analizuar me kujdes për të nxjerrë mësimet e duhura mbi këtë sistem zgjedhor për ndeshjen tjetër.

Gjynah që nuk kemi mundur ta maksimizojmë me plus katër mandate që i kemi lënë rrugës për shkak të numrit të votave të pavlefshme për ata që kanë zgjedhur 12 por kanë gabuar për shënjimin e numrit të preferencës.

Kjo nuk e bën më pak të çmuar rimarrjen e 74 mandateve, kjo është një 74 shumë më domethënëse pas një mandati të dytë skajshmërisht të vështirë”.

Author: admin