Gjykata e Tiranës ka caktuar trupën gjykuese që do shqyrtojë çështjen ndaj ish efektivit Nevaldo Hajdaraj i akuzuar për vrasjen e Klodian Rashës. Sipas shortit të hedhur çështjeje do zhvillohet më 29 prill në orën 12:30, me kryesuese gjyqtaren Armela Hasantari.
Gjykata pritet të vendosë mbi kërkesën e Hajdarajt që procesi ndaj tij zhvillohet me gjykim të shkurtuar. Po kështu Hajdaraj me kërkesë të mbrojtësve të tij ka kërkuar edhe ndryshim të akuzës, nga ajo e vrasjes me dashje, në vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme. Sipas prokurorisë Nevaldo Hajdaraj e ka kryer krimin me dashje dhe për këtë ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me dashje.
Fillimisht ai u arrestua me akuzën e vrasjes ne kapërcimin kufijve te mbrojtjes se nevojshme, akuzë për të cilën ai kërkon të gjykohet. Ndërsa hetimet zbuluan se vrasja është me dashje dhe mund te evitohej.
Përsa i përket amës së gjetur në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë dalë në përfundimin se ajo nuk i përket Rashës, nga ku rezulton se 25-vjeçari ishte i paarmatosur, pasi në armën e gjetur 100 m larg vendngjarjes, është një model pistolete turke sportive, në të cilën nuk janë gjendur as gjurmë ADN-je dhe as gishtërinjsh të viktimës.
Organi i akuzës është tashmë i bindur në lidhje me këtë fakt, pas zbardhjes me detaje të pamjeve të kamerës se një garazhi aty pranë që e ka fiksuar të gjithë ngjarjen. Sipas pamjeve filmike, të cilat ndodhen edhe në dosjen hetimore, shihet qartë që efektivi i policisë fillimisht e ka kapur prej krahu të riun, por pasi ai i ka shpëtuar atij nga dora polici ka qëlluar me armë duke e lënë të vdekur.