Dy mitingjet, të gjithë bëjnë fushatë, të gjithë në opozitë!

Edi Rama ka përdorur një hile meskine për të krijuar fabulën fjalimit të hapjes së fushatës elektorale. Kur zbriti nga avioni i Erdoganit, në Rinas, bashkë me sasinë e sapo sjellë të vaksinave kineze, kryeministri iu përgjigj edhe pyetjes së një gazetareje, se si do të organizonte mitingun e sotëm, kur ligji lejon vetëm grumbullimin e një numri të kufizuar personash.

Eshtë tejet interesante të shikohet përgjigja që ai dha në aeroport dhe ligjërata që mbajti disa orë më pas në sheshin Skënderbej. Vërtet kufizimet nga pandemia nuk lejojnë më shumë se dhjetë vetë, por është çështje fantazie nëse ti i vendos dhjetë këtu dhe dhjetë të tjerë 20 cm më larg, shpjegoi ai. Kjo deklaratë, në fakt, ishte një sinjal i qartë se partia në pushtet nuk do ta zbatonte ligjin (20 cm largësi nuk do të thotë asgjë), se ajo, ashtu sikurse bën gjithmonë, do të shfrytëzonte një truk për ti’u mbivendosur atij.

Por, këtë radhë dredhia kishte qëllim tjetër. Më shumë sesa një shkelje syri ndaj të tijëve për të mos përfillur kufizimin e grumbullimit në shesh, deklarata e shefit të qeverisë, në Rinas, qe një kurth për opozitën. PD me aleatët ranë në këtë çark. Duke kujtuar se rilindasit do të tuboheshin në shesh për të treguar forcë, ata e shpërfillën planin fillestar sipas të cilit patën marrë edhe lejen, atë për tu tubuar sipas modelit të fushatës së Bidenit, secili në makinën e vet. Të yshtur nga kompleksi opozitar se mos pushteti demostron shenja triumfi, ata u përgjigjën me të njëjtën monedhë.

Author: admin