Lidhja me Bandën e Shullazit dhe aktiviteti kriminal: Mond Çekiçi lëvizte i patrazuar, duhet të ishte në arrest shtëpie (E plotë)

Edmond Koçi i cili njihej me nofkën “Mond Çekiçi”, rezulton të jetë një personazh me të shkuar kriminale dhe i lakuar në listën e të parëve të Bandës së Durrësit të drejtuar nga Lul Berisha. Ai konsiderohej si  një person me rrezikshmëri të lartë dhoqërore në qytetin bregdetar.

Për herë të fundit ai u arrestua më 24 Shtator të vitit të kaluar pasi u konstatua duke lëvizur me armë pa leje, por qëndroi vetëm disa ditë në paraburgim për shkak të infektimit me Koronavirus, një çështje e cila mbeti e heshtur për muaj me radhë deri në ekzekutimin e tij mëngjesin e 20 Marsit të këtij viti. Ndërsa në dosjen hetimore thuhet për arrestimin e tij thuhet:

“Po qarkullonte me një motor ngjyrë gri, me parga AR 757, tip “Honda”, drejtuar nga shoku i tij Orges Skënderi, policia ka ushtruar kontroll dhe ka konstatuar se Edmond Koçi, në marsupin që mbante i është gjetur dhe sekuestruar një armë tip pistoletë, prodhim austriak në trupin e së cilës kishte të shkruar “Steyr”, e kalibrit 9mm.Gjatë një kontrolli në banesë ju sekuestruar dy kuti me 98 plumba pistolete dhe plot 8800 euro…”.

Kuçin e “shpëtoi” nga burgu  COVID-19 me kërkesë të Prokurores  Rabiana Halili e cila, çuditërisht dy ditë pas vendimit paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë. Vendimi për lirimin e tij u mor nga gjyqtari Petraq Çuri, i cili gjatë seancës ka argumentuar:

“Por kjo gjykatë,konformë nenit 244/3 të KPrP, nuk mund të japë një masë sigurimi më të rëndë se ajo që propozon prokurori, dhe për rrjedhojë pavarësisht opsioneve kundërshtuese që ajo ka, është e detyruar për efekt të ligjit ta miratojë kërkesën e caktimit të masës së “arrestit në shtëpi…”.”

Edhe pse gjykata kishte vendosur që Çekiçi të qëndronte me detyrim në shtëpi, ai këtë të Shtunë po dilte i shoqëruar nga shoferi i tij duke lëvizur i patrazuar në rrugët e qytetit bregdetar.

“Mond Çekiçi”, jo vetëm që njihej si pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.

Njësoj si në 2020, në Maj të 2009-ës, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”. “Mond Çekiçi”, rezulton të jetë pjesë shoqërore me Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishaj, Marjel Fierza, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhiaj por jo vetëm. Viktima e atentatit të sotëm administronte disa shërbime në portin e Durrësit, nëpërmjet disa kompanive, ku ai qëndron si pronar në hije.

Një raport sekret i mbajtur disa vite më parë, fliste për bashkim të Berishës me Emiljano Shullazin. Në të jepeshin të dhëna se aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës. Përmes tij zbulohej manovrimi i Lul Berishës që edhe pse në burg, drejtonte bandën e tij duke i udhëzuar tek njerëz të besuar si Julian Meçaj, Marjel Fierza, Mond Çekiçi, e Plarent Dervishaj, për të cilin në prill të 2015 Apeli i Krimeve të Rënda i ka pushuar të gjitha akuzat.

Author: admin