Në Ekuador, padronët e rinj të drogës flasin shqip’, media e huaj zbulon vrasje e ngjarje tronditëse: Fundi i historisë ka një datë, 15 shtator 2020…

Nga Emanuel Pietrobon

Amerika Latine përballet me narkotrafikun që nga epoka e Pablo Escobarit dhe e kartelit të Medelinit, por sidomos në 20 vitet e fundit problemi ka marrë përmasa kontinentale, falë fraksionizmit të panoramës kriminale, rënies së fuqisë së shtetit dhe kalcifikimit të korrupsionit, duke u përhapur në masa të barabarta në Meksikë e Kolumbia, Brazil e Paraguai, Argjentinë e Salvador.

Zona të tëra të Amerikës Hispanike kanë marrë formën e zonave gri, apo më saktë të shteteve brenda shtetet, jashtë kontrollit të autoriteteve, ku sundojnë anarkia e ligji i rrugës, e ku luftërat mes bandave, pjesë e një përditshmërie anormale, janë bërë pjesë e jetës së banorëve që tashmë nuk iu bën më përshtypje dhuna.

Vetëm në Meksikë, vendi më i prekur nga fenomeni i narkotrafikut, nga 2006 deri sot janë vrarë mbi 300 mijë persona, 34 mijë prej të cilëve vetëm vitin e kaluar, mbi 82 mijë janë zhdukur, ndërsa 150 mijë të tjerë janë detyruar të shpërngulen diku tjetër. Luftërat në ish-Jugosllavi, me përfshirje shtetesh, grupesh paramilitare dhe të NATO-s, me gjithë mizorinë e tyre gjatë një dekade, kanë pasur më pak viktima: 140 mijë të vdekur, 12 mijë të zhdukur.

Pastaj janë rastet e Kufirit të Trefishtë, e shndërruar në ferr-parajsën ku kryqëzohen rrugën e karteleve të drogës dhe terrorizmit ndërkombëtar; dhe rasti i Ekuadorit, vend emigrimi i trafikantëve nga Shqipëria ku dhuna në rrugë është në rritje, sidomos në Guayaquil, dhe që ka tërhequr vëmendjen e Europolit dhe Interpolit.

Narkombreti i Quitos flet shqip

Rrëfimi i kësaj historie nuk nis nga fillimi i saj, edhe për shkak se nuk ka tamam një fillim, por nga fundi. Fundi ka një datë konkrete: 15 shtator 2020, dita në të cilën Europol dhe forcat e rendit të dhjetë vendeve çmontuan një kartel droge unik në llojin e vet, pa të ngjashëm në pjesën tjetër të botës. Kjo sindikatë kriminale ndërkombëtare e specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës, e njohur si ‘Kompania Bello’, kishte një të veçantë: ishte e gjitha shqiptare, nga koka te këmbët. Shqiptarë shitësit e rrugës, shqiptarë mbikëqyrësit e shitësve, shqiptarë furnizuesit e drogës dhe, e pabesueshme, shqiptar edhe burimi i lokalizuar në Amerikën Latine.

Burimi quhet Dritan Rexhepi, 40 vjeç, dhe është një gjeni i krimit, i kërkuar në Shqipëri, Itali e Belgjikë për krime të lidhura me drogën. Historia e tij ka brenda të pabesueshmen për një seri arsyesh: është arkitekt i një organizate kriminale që nuk ka precedentë historikë, ka një numër arratisjesh spektakolare nga burgjet, para se t’i dedikohej narkotrafikut ishte pranë diplomimit në juridik në Universitetin e Tiranës, dhe u bë mbret i drogës nga qelia, arrestuar më 2014 në Quito me 278 kile kokainë dhe dënuar me 13 vjet burg.

Ndonëse në burg, Rexhepi krijoi e drejtoi nga distanca Kompaninë Bello për gjashtë vjet, duke porositur të paktën dy vrasje gjatë kësaj periudhe – sipas prokurorëve italianë – e duke administruar një xhiro biznesi që vetëm në periudhën 2016 – 2017,duke mbushur Evropën me 6022 kile kokainë, duhet të ketë nxjerrë të ardhura 141 milion euro.

Si mund të bëhesh mbret narko

Si arriti Rexhepi në Quito? E si ia doli të ngjiste shkallët e narko-panoramës ekuadoriane? Historia e këtij gangsteri piktoresk nis në Shqipërinë e viteve ’90. Diktatura e egër e Enver Hoxhës ka rënë dhe vendi është në anarki. I riu Rexhepi braktis ëndrrën e karrierës në drejtësi, duke zgjedhur pikërisht rrugën e kundërt: krimin. Një zgjedhje e vështirë, do t’i thoshte disa vjet më pas një gazetari, duke i shpjeguar ‘kisha dy mundësi: t’i dorëzohesha sistemit të kalbur e të padrejtë të Shqipërisë, që do të më kishte dënuar përjetë, apo të kërkoja një mundësi të dytë duke bërë diçka tjetër me jetën time. Për këtë hyra në trafikun e drogës’.

Përse duhej t’i druhej burgut të përjetshëm një student i juridikut? Kësaj pyetjeje iu dha një përgjigje më 2013, kur Rexhepi, tashmë i kërkuar, u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës për dy vrasje të kryera më 1998, njëra e një polici. Pra jo një student i thjeshtë, por një kriminel i zoti, karriera e të cilit, nisur në realitetin e vrasjeve me pagesë, do të vazhdonte më parë me grabitjet me armë – në Belgjikë – e pastaj në trafikun e drogës.

Para se të shkonte në Ekuadro, Rexhepi përshkoi Kontinentin e Vjetër si i dënuar e si i kërkuar. I dënuar nga një gjykatë italiane për trafik kokaine, identifikohet në Holandë e prej andej ekstradohet në Itali më 2008. Arratiset nga burgu i Vogheras më 2011, duke sharruar hekurat me limë, si në filma. Kapet pas disa muajsh në Spanjë dhe ekstradohet në Belgjikë, ku ishte i kërkuar për grabitje me armë, burgoset në Anversë. Arratiset edhe prej andej dhe këtë herë e lë Evropën, duke shkuar në Amerikën Latine.

Author: admin