SHBA/ Hetime ndaj 35 oficerëve të Kapitolit mbi sulmin e 6 janarit.

Tridhjetë e pesë oficerë të policisë së Kapitolit po hetohen për veprimet e tyre gjatë trazirave të 6 janarit ndërsa gjashtë të tjerë janë pezulluar nga detyra, me të drejtë page. Njoftimi u bë nga departamenti i policisë në një deklaratë të premten.

Shefja e përkohshme Yogananda Pittman ka dhënë si direktivë që çdo anëtar i departamentit të saj, sjellja e të cilit nuk është në përputhje me rregullat e sjelljes së departamentit, do të përballet me ndëshkimin e duhur“, tha zëdhënësi John Stolnis.

Visit Instagram Profile ➤

Autoritet nuk dhanë detaje rreth hetimeve.

Pesë persona, përfshirë një oficer të policisë së Kapitolit, humbën jetën gjatë sulmit të dhunshëm të muajit të kaluar kur turma e mbështetësve të ish-Presidentit Donald Trump sulmoi Kapitolin.

Më vonë dy oficerë të zbatimit të ligjit kryen vetëvrasje.

Sipas ndihmësve të Kongresit dhe disa ligjvënësve, hetuesit po shqyrtojnë përgjigjen e oficerëve të policisë së Kapitolit më 6 janar dhe nëse ndonjëri prej tyre mund të ketë ndihmuar protestuesit e dhunshëm.

Sipas ligjvënësit demokrat Tim Ryan vetëm disa ditë pas sulmit u bë e ditur se dy oficerë ishin pezulluar. Ai u tha gazetarëve se njëri prej tyre kishte bërë një selfi me një protestues, ndërsa një tjetër kishte vendosur në kokë një kapelë me zotin Trump dhe po i orientonte protestuesit nëpër ndërtesë.

Mbetet e paqartë nëse këta dy policë ishin në mesin e 35 personave që po hetohen aktualisht ose nëse ata po përpiqeshin të vendosnin turmën nën kontroll duke krijuar kontakte personale me ta.

Protestuesit e krahut të djathtë shkuan në Kapitol menjëherë pas një fjalimi që zoti Trump mbajti përballë një turme pranë Shtëpisë së Bardhë. Gjatë fjalës së tij ai iu drejtua turmës duke u shprehur: “Ne luftojmë. Ne luftojmë me çdo kusht. Dhe nëse nuk luftoni me çdo kusht, nuk do të keni më shtet“.

Protestuesit iu drejtuan selisë së Kongresit, duke bllokuar përkohësisht procesin e çertifikimit zyrtarisht të fitores së Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020, pas përpjekjesh të përsëritura nga zoti Trump për ta ndryshuar rezultatin.

Një javë pas rebelimit, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët ngriti zyrtarisht një akuzë ndaj zotit Trump për nxitje të rebelimit. Në përfundim të gjykimit Senati e shpalli ish-presidentin të pafajshëm. /VOA/

Author: admin