Bllokimi i rrugëve/ Ramës nuk i del “e keqja” me opozitën dhe median: Andi Bushati rrotë me zinxhirë!

Paralizimi i qarkullimit në mbarë vendin, për shkak të motit të keq, ka shkaktuar mjaft irritim tek qytetarët, sepse qeveria dhe autoritetet dështuan të zhbllokojnë rrugët për orë të tëra, duke lënë udhëtarët në mëshirë të fatit, në mes të të ftohtit.

Një nga personat që mbeti në aksin e Lezhës për disa orë, ishte gazetari i njohur Andi Bushati, i cili në një prononcim për mediat deklaroi se autoritetet nuk jepnin asnjë informacion dhe nuk ishin prezente në terren për të pastruar dëborën.

Po kështu, kreu i opozitës Lulzim Basha, ka bërë me faj qeverinë që ka dështuar me menaxhimin e situatës.

Duket se kryeministrit Edi Rama “nuk po i del e keqja”, nga reagimet e shumta kundër qeverisë dhe ndaj ka sulmuar gazetarin Bushati dhe kreun e opozitës.

Lulëzim! Se çfarë bëra unë pas tërmetit, qytetarët e dinë. Se çfarë bëri e po bën kjo qeveri për përballimin e pandemisë edhe këtë e dinë. E mbajnë mend edhe ç’bëhej deri dje me përmbytjet kur mijëra njerëz linin shtëpitë e me dëborën kur rrugët bëheshin pista skish për makina!..

Politika me fatkeqësitë është si ajo makina që ngec në rrugë se s’ka zinxhirë për rrotat në rast dëbore dhe s’ka qytetar normal, sado i pakënaqur me qeverinë, që të bëhet rrotë me zinxhir si Andi Bushati, për të të besuar ty rrugën e të ardhmes së Shqipërisë për inat të qeverisë!“, shkruan Rama.

Ja çfarë shkruante Andi Bushati për eksperiencën e tij në aksin e Lezhës:

Pasi kam kaluar me orë të tëra i bllokuar pranë Lezhës bashkë me qindra të tjerë, pasi nuk pashë për be asnjë borëpastruese, asnjë kripëhedhëse apo qoftë dhe makinë policie që të jepte informacion elementar, sa mbërrij në shtëpi, falë një aventurieri që çau rrugë pa rrugë mes fshatrave, shoh ministren që jep shfaqe pasi ia ka hypur një borëpastrueseje.

Do e kuptoja po të thoshte që jemi një shtet shkërdhat, që kështu kemi qenë dhe kështu do mbetemi, kaq fuqi kemi përballë situatave të tilla etj…

Por ama me këto inskenimet e shpifura ku e vetmja makinë që mund të vihej në punë përdorej për xhirime, këta edhe njeriun më të duruar mund ta shndërrojnë në vrasës…

I imagjinoj fytyrat e atyre që pata me orë pranë kur të shohin në ekran Belindën sapo të futen në shtëpi…“, shkruan analisti.

Author: admin