Gjermani/ Humbja e votave përballë humbjes së jetës së njerëzve.

Qeveria gjermane vendosi t’i zgjasë sërish masat kufizuese të lirisë së qytetarëve për shkak të Covid-19. Mbyllja e fortë e jetës publike e nisur në 16 nëntor do të vazhdojë kështu deri në 7 mars. Deri në këtë datë do të ketë vetëm pak lehtësime: prej 22 shkurtit në disa lande do të hapen, për prani fizike, shkollat fillore dhe klasat e maturës, që tani e bëjnë mësimin online. Që prej 1 marsit do të lejohet të hapen parukeritë e berberanat.

Por për shumicën e të prekurve, për hotelerinë e gastronominë, aktivitetet kulturore e palestrat do të diskutohet për herë të parë vetëm në 3 mars, në takimin e ri të kancelares me kryeministrat rajonalë. Kriteret për hapjen madje u ashpërsuan: deri tani thuhej se hapja e tyre do të ndodhë kur të kemi jo më shumë se 50 infektime të reja për 100.000 banorë. Tani u vendos që hapja do të bëhet vetëm kur të ketë 35 infektime të reja për 100.000 banorë.

Visit Instagram Profile ➤

Masat aktuale kufizuese kanë pasur sukses. Incidenca shtatëditore të enjten (11.02.) ishte 64 infektime për 100.000 banorë. Një rënie e konsiderueshme që nga 16 dhjetori, kur nisi mbyllja e dytë e fortë e Gjermanisë dhe kur incidenca për 100.000 banorë ishte mbi 170 vetë. Por ulja e numrit të infektimeve ecën vetëm ngadalë.

Deri tani, pjesa më e madhe e gjermanëve i kanë duruar pa kundërshti të madhe masat kufizuese. Deri pak javë më parë, mbi gjysma e gjermanëve deklaronte në sondazhe se masat janë me vend, ndërsa për rreth 28 përqind të gjermanëve kishte vend për t’i ashpërsuar masat edhe më tej.

Klima në popull po ndryshon: shtohet pesimizmi

Por tani duket se klima në popull po ndryshon. Gjysma të pyeturve në mes të janarit 2021 druhet se pandemia nuk do të vihet dot nën kontroll. Durimi i qytetarëve për masat e qeverisë po i afrohet fundit. Këtë e sugjeron një sondazh i Institutit të njohur demoskopik Allensbach.

“Ka një rënie të dukshme të pranimit” për masat e qeverisë, konstatohet. Njerëzit gëzohen që shifrat e infektimeve po bien. Problemi është se kjo nuk pasqyrohet pozitivisht në jetën e tyre personale. 70 përqind e gjermanëve janë të shqetësuar për pasojat ekonomike të pandemisë. Për herë të parë janë shtuar shqetësimet për papunësinë, për rënien e të ardhurave dhe varfërinë në pleqëri. Mbi të gjitha mungon perspektiva. Familjet dhe sipërmarrjet e vogla e kanë të vështirë të bëjnë plane për kohën e ardhshme.

Kërkesës këmbëngulëse të njerëzve për një plan me shkallë të qeverisë për daljen nga situata, politikanët i përgjigjen me të njëjtën këmbëngulje se agresiviteti i varianteve të reja të virusit nuk të lejon të bësh parashikime të mëdha.

Në Gjermani janë të pranishme tani të gjitha variantet e njohura të virusit Covid-19: varianti britanik, ai afrikanojugor dhe ai brazilian. Mutacionet janë ende pak të përhapura, përbëjnë 5-6 përqind të rasteve, por rreziku mbetet. Për këtë Bavaria po shqyrton edhe mbylljen e kufijve, me Çekinë dhe Austrinë, ku variantet e virusit janë më të përhapura. Kancelarja Merkel tha se agresiviteti i këtyre varianteve “mund të shkatërrojë çdo sukses” të arritur nga mbyllja për muaj me radhë.

Kritikat ndaj qeverisë shtohen

Me zgjatjen e masave kufizuese, qeveria tregohet e gatshme të paguajë çmim politik për jetën, shkruan Auron Dodi.
Askund, as në Gjermani masat kufizuese nuk janë popullore dhe mjeti më legjitim ku njerëzit e shprehin pakënaqësinë është vota. Gjermania ndodhet para disa zgjedhjeve: zgjedhjeve rajonale në dy lande, në Baden-Württemberg dhe në Rheinland-Pfalz për katër javë dhe zgjedhjeve parlamentare kombëtare, për shtatë muaj e gjysëm. Dhe në prag të tyre, debati politik në Gjermani ka nisur të ashpërsohet dukshëm.

Qeveria deri tani e mbrojtur nga sulmet, kritikohet si përgjegjëse për disa gjëra:

Për ritmet e vaksinimit. Gjermania paraqitet për vaksinimin më mirë se Franca apo shtete të tjera evropiane. Por kjo nuk e ndryshon faktin që këtu janë vaksinuar pak vetë: 2,99 përqind e popullatës apo 2 milionë e 490 mijë vetë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, gjysma e tyre edhe dozën e dytë. Krahasimet bëhen me SHBA, me Izraelin dhe me Britaninë e Madhe. Por fakt është që edhe Bideni e kritikoi këto ditë Trumpin se kishte porosituar pak vaksina. Edhe Izraeli, kampion në vaksinim, nuk e ka shmangur dot valën e tretë të pandemisë.

Vetë ministri i Financave të Gjermanisë, Olaf Scholz, njëkohësisht kandidat për kancelar i partisë socialdemokrate (SPD) pranoi se “duhet të kishim porositur më herët dhe më shumë vaksina, këtu nuk ka gjë për të zbukuruar”.

Për vonesën e ndihmave financiare. Ka mjaft ankesa, sidomos nga sipërmarrjet e vogla se nuk i kanë marrë ende ndihmat e premtuara që në nëntor nga shteti. Sipas Institutit demoskopik Allensbach, njerëzit shohin hendek midis deklaratave të qeverisë dhe realitetit p.sh. të sipërmarrësve të vegjël me profesion të lirë. Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier kërkoi për këtë temë një samit të posaçëm.

Qeveria gjermane merr përsipër çmimin politik

Qeveria gjermane e ka marrë përsipër deri tani çmimin e mundshëm politik për masat kufizuese. Përballë alternativës: ose humbje votash ose rrezikim i jetës së qytetarëve nga mbingarkimi i sistemit shëndetësor gjerman (i cili pastaj duhet të vendosë se cilët të infektuar do të jetë e mundur të mjekohen e cilët jo), qeveria po tregohet e gatshme të rrezikojë mbështetjen politike.

Kancelarja Merkel deklaroi të enjten në Bundestag se nuk ka alternativë tjetër veç kufizimeve aktuale të lirisë, që të pengohet një valë e tretë e pandemisë. Ajo tha se për ta mbajtur në një nivel të menaxhueshëm numrin e infektimeve, nuk ka mjet më të butë se kufizimi konsekuent i kontakteve. Me një gjuhë të prerë Merkeli i quajti masat “të përshtatshme, të nevojshme dhe proporcionale”.

Deri tani mbështetja në sondazhe për qeverinë ka qëndruar stabile: rreth 37 përqind për CDU/CSU, 15 përqind për socialdemokratët pjesë e koalicionit qeveritar, dhe 18-19 përqind për Të Gjelbrit në opozitë. Ashpërsimi i klimës politike tani në prag të zgjedhjeve mund të sjellë zhvillime interesante në balancën e forcave./ DW/

tpz.al

Author: admin