Pas një artikulli të publikuar në “Panorama” mbi shpenzimet e Akademisë së Shkencave për shpenzimet e miliona lekëve për studime se si mund të mbrohemi nga koronavirusi dhe ai i dhjetorit për imunitetin e tufës, akademiku Artan Fuga, thotë se është ulëritëse që i qeveria i jep para kësaj Akademie.
Ndërkohë që rastet e reja rriten vazhdimisht dhe po ashtu edhe viktimat, Fuga thotë se si është e mundur që qeveria alokon buxhete shtesë për shpenzime korrente pa kërkuar relacionet shkencore që justifikojnë studimet.
Reagimi i plotë:
Shihni si harxhohen paratë e taksave tuaja në kohë Covidi!
Gazetari i ri Klevis Paloka, i Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore më dërgon shkrimin e tij investigativ shoqëruar me vendimin e Qeverisë, firmosur në mungesë të Edi Ramës, nga zëvendësi i tij Erion Braçe, për t’i akorduar akademisë të shkencave një fond shtesë që pastaj shkojnë për atë studimin për matjen e infektimit të popullsisë mbi të cilën doli teoria famëkeqe e krijimit të imunitetit të tufës!
Sot kur epidemia po merr jetët e shqiptarëve, është uluritëse që qeveria i jep akademisë të shkencave në zërin “shpenzime korrente” buxhete shtesë prej 46 milionë lekësh të vjetra për studime shkencore. A janë shpenzime korrente këto?
Pretendohet të matet shkalla e infektimit ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë që varet nga kjo qeveri publikon me saktësinë e pretenduar shifrat përkatëse. Atëherë si është e mundur që jepet buxhet kolosal për informacione që qeveria pretendon se i ka të sakta? Si harxhohet paraja publike për të njëjtat informacione që qeveria pretendon se i ka?
Nëse është fjala për teorinë e krijimit të imunitetit të tufës kur në Shqipëri po bëhet kërdia në jetë njerëzish, si është e mundur që qeveria alokon buxhete shtesë për shpenzime korrente pa kërkuar relacionet shkencore që justifikojnë studimet, si është e mundur që shefa shërbimet institucionesh publike që varen nga qeveria kritikojnë studimin, për të cilin po ajo qeveri jep parà shtesë?
Si jepen parà për studime pa oponencë ndërkombëtare, të pacertifikuara nga komuniteti i shkencave mjeksore të vendit, nga Instituti i Higjenës dhe i Epidemiologjisë, dhe pa raporte të ndërmjetme?
Ndërkohë nuk dihet se a janë përdorur apo jo mjete dhe rroga që vijnë nga spitalet a qendra shëndetësore për të cilat ne i paguajmë njëherë taksat tona. Si është e mundur që qeveria nuk ve shërbimet e specializuara të bëjnë matjet përkatëse nëse nuk i beson atyre që deklaron vetë?
Unë e them me përgjegjësi qytetare dhe si anëtar i akademisë të shkencave se ky rast është një keqpërdorim nga ana e qeverisë e parasë publike ndërkohë kur mijëra shqiptarë mbulojnë me shpenzimet e tyre përballimin e sëmundjes dhe kur mijra studentë nuk kanë parà të paguajnë për lidhjen online në kohë covidi për të vazhduar studimet!
Eshtë koha që ky vendim i qeverisë të denoncohet si i padrejtë dhe abuziv!