Rreth 70% e shqiptarëve të rikthyer nga emigracioni janë të papunë

Mbi 70% e të rikthyerve pohojnë se punësimi, strehimi dhe informacioni për shërbimet janë 3 nevojat kryesore për të cilat ata kanë nevojë e që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e familjeve të rikthyera nga emigracioni në Shqipëri.

Visit Instagram Profile ➤

Kjo është një ndër gjetjet kryesore të studimit të fundit të realizuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me ACER (Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike) për shërbimet dhe asistencën e ofruar ndaj të rikthyerve nga emigracioni në nivel lokal si dhe sfidat kryesore me të cilat ato përballen.

Në fokusin e këtij studimi kanë qenë disa aspekte të rëndësishme lidhur me asistencën dhe shërbimet e ofruara ndaj familjeve të rikthyera në vendin tonë, si në aspektin social (mbështetja që marrin nga familja dhe komuniteti, kontakte me zyrat e shërbimit në nivel lokal, shërbime shëndetësore, etj.), ashtu dhe në aspektin ekonomik (shërbimet në Zyrat e Punësimit, situata aktuale e punësimit).

Në lidhje me aspektin ekonomik, të dhënat tregojnë se 68.9% e të rikthyerve nga emigracioni janë të papunë, ndërsa 59% janë të pasiguruar nga punëdhënësi (ose punojnë në të zezë) dhe 36% e tyre shprehen se të ardhurat mesatare të familjeve të tyre variojnë mes 10.100 – 25.000 lekë/muaj.

Pas riatdhesimit, vështirësitë që hasin të rriturit, ashtu sikurse edhe fëmijët e tyre për t’u riintegruar në vendin e tyre janë të mëdha. Rreth 58% e të intervistuarve pohojnë se do të emigronin përsëri jashtë vendit, nëse do t’u jepet mundësia. Ndërkohë që sipas tyre, arsyet për të riemigruar lidhen me: papunësinë (50%), mundësi më të mira punësimi (36.8%) dhe një të ardhme më të sigurtë për fëmijët e tyre (33.2%).

Studimi u zhvillua gjatë muajit prill 2020 me 190 të rikthyer në 13 bashki të Shqipërisë ku zbatohet projekti RE-IN-VEST “Kthim në Mundësi të Reja” i financuar nga GIZ dhe implementuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Diakonia Agapes dhe SHKEJ./Burimi: Monitor

Author: admin