Në buxhetin e këti viti është parashikuar një fond i veçantë, me vlerë 30 milionë lekë të reja, për rikonstruksionin e godinës së bashkisë Durrës.
Në investimet e këtij viti pushteti vendor ka vendosur si zë të veçantë në buxhet shumën prej 30 milionë lekësh që do të përdoret për këtë funksion. Njëkohësisht, krahas godinës së bashkisë, rikonstruksion do t’u bëhet edhe godinave të Njësive Administrative, investim ky që kap vlerën 15 milionë lekë.
Rikonstruksioni i godinës së bashkisë u propozua për t’u përfshirë në buxhet në tetor 2019, nga kryebashkiakja e atëhershme Valbona Sako. Shuma që stafi i Sakos i propozoi në atë kohë për miratim Këshillit Bashkiak kapte vlerën 50 milionë lekë të reja. Në ndryshim nga 16 muaj më parë, administrata e tanishme është treguar më dorështrënguar duke i ulur me rreth 20 milionë lekë shpenzimet e rikonstruksionit.
Godina pritet t’i nënshtrohet riparimeve e rregullimeve brenda këtij viti, pasi në buxhet është parashikuar që investimi të mbyllet brenda 2021-it. Një shumë e konsiderueshme prej 5.5 milionë lekë të reja do të akordohet për sallën e Këshillit Bashkiak për sistemin e konferencave.
Në total, rreth 72 milionë lekë të reja do të kushtojnë gjatë këtij viti rikonstruksionet e godinave të institucioneve të pushtetit vendor në bashkinë Durrës.
Rikonstruksioni i fundit që i është bërë bashkisë ka qenë në vitet 2004-2005, gjatë kohës kur ajo drejtohej nga kryebashkiaku Lefter Koka. /P.D