KQZ i ka bërë thirrje partive politike të ndalin gjuhën e ashpër dhe sjelljen konfliktuale që kanë filluar në këtë fushatë elektorale.
Sipas thirrjes, zgjedhjet janë për qytetarët dhe partitë, kandidatët dhe udhëheqësit duhet të sillen me maturi dhe vetëpërmbajtje.
Në fund, KQZ edhe një apel për kandidatët që kanë aktualisht edhe post drejtuesi të enteve shtetërore të ndajnë angazhimin e tyre në një anë ose tjetrën.
Kohët e fundit teksa fushata elektorale ka filluar, ka pasur retorikë të ashpër nga palët si dhe tensione si në rastin e zyrave të FRD, Ditën e Verës në Elbasan, apo sherri i kandidatit demokrat Boçi me biznesmenin Luca dje në Labinot.
Njoftimi i KQZ:
Zgjedhjet janë për qytetarët, partitë politike të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje.
Duke marrë në konsideratë retorikën politike të ditëve të fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta dhe me qëllimin për të përgatitur, zhvilluar dhe administruar zgjedhjet e datës 25 prill, në përputhje me standardet më të mira për zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme, i bën apel të gjithë aktorëve politik për vetëpërmbajtje dhe maturi në sjlljen dhe mesazhet politike dhe elektorale të tyre.
Duhet mbajtur në vemendje se sjellja dhe retorika e udhëheqësve dhe përfaqësuesve politik ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë tek mbështetësit e tyre, ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në cënimin e standardeve të zgjedhjeve në vendin tonë.
Partitë politike janë një element themelor i sistemit demokratik të vendit dhe janë një mjet thelbësor i shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve dhe si të tilla kanë përgjegjësinë dhe detyrimin ndaj qytetarëve që të sillen me përgjegjshmëri dhe maturi.
Gjuha e ashpër dhe sjellja konfliktuale nuk i shërben interesit të qytetarëve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, kusht për integrimin europian të vendit.
Jemi në prag të fillimit të fushatës zgjedhore ndaj kandidatët dhe partitë politike duhet të respektojnë konkurentët e tyre.
Zgjedhjet janë për qytetarët dhe fushata zgjedhore është faktori kryesor/qendror në formimin e opinionit të zgjedhësve, ndaj duhet respektuar e drejta e qytetarëve për të krijuar opinionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, si dhe të drejtën e tyre për të pasur zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike.
Gjithashtu, në respekt të standardeve të zgjedhjeve të ndershme, KQZ i bën apel edhe zyrtarëve të angazhuar si garues në zgjedhjet e datës 25 prill, që të ndajnë anagzhimin e tyre si kandidat për deputet me atë të drejtuesit të entit shtetëror përkatës.
Zhvillimi i një gare të ndershme, në kushte të barabarta dhe duke respektuar standardet e kërkuara zgjedhore, i shërben zhvillimit demokratik të vendit.