Presidenti Meta ka dhënë alarmin për institucionet shtetërore, që prej dy ditësh nuk kanë arritur që të shuajnë zjarrin e rënë në një magazinë në kryeqytet. Meta thotë se brenda në magazinë dyshohet të jenë dy persona, ndërsa dëmi pasuror i biznesit është i pallogaritshëm, ndërsa shton se zjarrfikësit në rast se nuk kanë mjetet e duhura, të kërkojnë ndihmë nga vendet fqinje.
Postimi i plotë i Metës:
Alarm për institucionet shtetërore! Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar.
Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.
Duke shpresuar, që kjo ngjarje e rëndë të marrë fund me sa më pak pasoja, u bëj thirrje drejtuesve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe në veçanti Shërbimit Zjarrfikës të ndërpresin aktivitetet politike, të marrin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit dhe të kryejnë me përgjegjshmëri të lartë detyrën e tyre.
T’u kërkohet ndihmë vendeve partnere nëse ne nuk i kemi kapacitet për ta menaxhuar këtë situatë, por qëndrimi duarkryq është i papranueshëm dhe i dënueshëm. U bëj thirrje të fortë institucioneve shtetërore të reagojnë sa më parë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme kësaj situate tepër të rëndë dhe me pasoja tepër serioze!