Rreth 120 mija banorë të Shkodrës janë prej natës së kaluar pa ujë të pijshëm.
Sipas Bashkisë mbrëmë ka pasur një defekt të rëndë dhe janë dëmtuar tre panele të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në stacionin e pompimit në Dobraç.
“Për shkak të luhatjeve të mëdha të tensionit gjatë natës janë djegur panelet, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në stacionin e pompimit, duke ndërprerë furnizimin me ujë për më shumë se 120 mije banorë në qytetin e Shkodrës. Që në orën 3 të mëngjesit, ekipet teknike po punojnë për riparimin e defektit.
Çdo javë problemet me furnizimin e energjisë dhe mungesa e energjisë elektrike bëhen shkak për ndërprerje të furnizimit me ujë.
Furnizimi me energji elektrike është primar, duhet siguruar i rregullt dhe i qëndrueshëm për funksionimin e pompave dhe sistemin e shpërndarjes së ujit në qytet”, deklaron Bashkia e Shkodrës.
Bashkia thekson se janë duke punuar që në orët e para pas mesnatës, synojnë të arrijnë të riparojnë defektin dhe të furnizojnë qytetarët duke filluar nga oraret e drekës.
Drejtori i Ujësjellësit Shkodër Mark Molla deklaroi se po punohet me të gjitha kapacitetet për të rikthyer sa më shpejt ujin e pijshëm në qytet.
Sipas tij, ky defekt ka ardhur si shkak i luhatjes se tensionit tek stacioni i pompave dhe ishte i papritur.